Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës vizituan ASHNA-në

Data: 19 Korrik 2019
Article Image

Më datë 18.07.2019 në ASHNA erdhën për vizitë deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës znj. Sala Berisha Shala – Kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal dhe znj. Safete Hadërgjonaj – Anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa bashkë me ekipin e tyre.

Deputetet u pritën nga Zëvendës Drejtori për Operime z. Valmir Hylenaj së bashku me zyrtarë të ASHNA-së.

Deputetet u interesuan të dijnë për zhvillimet, planet dhe sfidat me të cilat përballet ASHNA. Përfaqësuesit e ASHNA i njoftuan deputetet në lidhje me faktin që gjenerata e fundit e kontrollorëve të trafikut ajror do të shkojnë në Pragë më 22 korrik për të filluar shkollimin profesional, ato poashtu u njoftuan për procesin e normalizimit të hapësirës ajrore të ulët të Kosovës, aktivitet i udhëhequr nga NATO.

Deputeteve poashtu iu tregua për hapësirën ajrore të lartë të Kosovës dhe faktin që ajo tani për tani menaxhohet nga Hungarocontrol. Atyre iu prezantuan edhe projektet e shumta që janë në zbatim e sipër dhe ndikimin e tyre në operimet e ASHNA pas futjes në funksion. Deputeteve iu prezantuan edhe sfidat për të ardhmen e ASHNA, ndër më të rëndësishmet ndikimi i futjes në fuqi të Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, largimi i personelit të ASHNA për të punuar jashtë vendit, si dhe mungesa e anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare të aviacionit civil. Përfaqësuesit e ASHNA prezantuan në lidhje me rrjedhën e trafikut ajror të cilit ASHNA i ofron shërbimet e navigacionit ajror, me theks të veçantë në lidhje me rritjen e trafikut komercial që është një zhvillim pozitiv për gjithë Kosovën.

Deputetet u zotuan që do ta përkrahin ASHNA-në në projektet e veta zhvillimore dhe në përballjen me sfidat në të ardhmen. ASHNA iu shprehu atyre mirënjohjen për realizimin e vizitës dhe për interesimin e treguar në lidhje me këtë institucion. ASHNA i siguroi deputetet e nderuara që do të vazhdojë të kontrollojë me përkushtim hapësirën ajrore të Kosovës dhe të japë kontributin e vet maksimal në rritjen e mëtejme të sigurisë së trafikut ajror në Republikën e Kosovës.

Article Image