Kryeminstri Kurti dhe Ministri Aliu gjatë një vizite në ASHNA u pritën nga Drejtori Bllacaku

Data: 2 Shkurt 2022
Article Image

Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Samir Bllacaku, priti në një vizitë pune në ASHNA, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendësministrin e MMPHI, Hysen Durmishi.

Bashkëpunimi për avancimin e Sistemit për Menaxhimin e Trafikut Ajror, ishte në qendër të këtij takimi.

Kryeministri Kurti, theksoi rëndësinë që ka Menaxhimi i Trafikut Ajror, në mënyrë që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe kontrolli ynë ajror, të arrijë në nivel të shteteve evropiane.

Z. Kurti tha se do të bashkëpunojmë në muajt e vitet në vijim, në mënyrë që këtë agjenci shumë të rëndësishme për infrastrukturën, për trafikun, për sigurinë dhe për sovranitetin e Republikës së Kosovës, ta shpijmë edhe më tej drejt arriturave të reja.

Në veçanti, Kryeministri vlerësoi mbështetjen e partnerëve dhënë për ASHNA-n, duke veçuar kontributin e NATO-s dhe KFOR-it.

Ai shprehu bindjen që nëpërmjet bashkëpunimit të mëtutjeshëm do të përmbushen standardet më të larta dhe kriteret e Bashkimit Evropian.

Kryeministri theksoi se u njoftua nga ana e drejtorit Drejtorit Samir Bllacaku, për përgatitjet teknike dhe profesionale që janë duke u bërë, në mënyrë që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës së lartë ajrore, të asaj që është mbi 6250 metra. Nga kjo vlerësohet se përfitimet financiare si shtet të jenë ndërmjet 6 dhe 7 milionë euro në vit.

U vlerësua hapja e dy korridore të reja me Republikën e Shqipërisë që ka mundësuar shkurtimin e udhëtimit për në Vjenë për rreth 15 minuta, meqenëse më nuk është i nevojshëm kalimi në hapësirën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, çfarë ishte rasti më herët.

Mes të arriturave u theksuan edhe zgjatja e pistës, dhe niveli 3B i sistemit të aterrimit, si nivel shumë i avancuar.

Nga ana tjetër, Drejtori Samir Bllacaku, falënderoi Kryeministrin Kurti, për vizitë në ASHNA duke shtuar se kjo është vizita e parë e një Kryeministri të Kosoves në këtë institucion.

Bllacaku theksoi se, kemi përkrahjen dhe zotimin e Qeverisë që do të na ndihmojë në realizimin e projekteve tona për përgatitjen e marrjes së hapësirës së lartë ajrore.

Ndërkaq Ministri I MMPHI-së, z. Liburn Aliu, duke theksuar rëndësinë e transportit ajror të Kosovës, tha se synohet qe arritjet e mëtejme të zhvillimit të shërbimeve që do të bëhen nga kjo agjenci të mundësojnë pastaj që kapacitetet shtetërore tona për transportin ajror të rriten edhe në fushën e transportit të mallrave. Kjo lidhet me mënyrat tjera të transportit tokësor dhe atij hekurudhor e që përmes projekteve të reja të mund ta lidhim me transport detar, detin Adriatik.

Për të parë nga afër procesin e vëzhgimit dhe mbikëqyrjes, Kryeministri Kurti vizitoi Kullën e Trafikut Ajror, Departamentin e Meteorologjisë, dhomën e operimeve dhe dhomën e monitorimit të pajisjeve aeronautike në ASHNA.

 

 

 

Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image Article Image