MOT I NDRYSHUESHËM ME RREBESHE SHIU E BRESHËR GJATË JAVËS

Data: 24 Qershor 2024
Article Image

Vala e të nxehtit që ditëve të fundit kishte kapluar Evropën Juglindore gradualisht po i lëshon vendin motit jo-stabil, freskisë dhe temperaturave më normale për periudhën, e që deri në fillim të muajit korrik do të mbretërojnë në vendin tonë dhe regjion.

Temperaturat maksimale që u shënuan në mes 35°C – 38°C, do të zëvendësohen me 23°C – 29°C, ndërsa minmalet do të luhaten ndërmjet 15°C – 19°C. Erërat do të jenë kryesisht drejtimesh të ndryshme e me shpejtësi të lehtë nga 02 – 05 m/s, përveç në periudhën e stuhive të mundshme kur intenziteti i erës mund të rritet deri në 20 m/s.

Moti do të jetë kryesisht me vranësira të pakta të cilat do të shtohen dukshëm orët e pasditeve me potencial stuhish lokale që do të shoqërohen me bubullima e vetëtima, rrebeshe shiu e nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit madhësish të ndryshme në lokacione të izoluara.