Në Pragë filloi trajnimi i gjeneratës së katërt të kontrollorëve të trafikut ajror të Republikës së Kosovës

Data: 23 Korrik 2019

Më datë 22.07.2019 në Pragë të Republikës Çeke, filloi trajnimi i studentëve kontrollorë të trafikut ajror të Kosovës. Ky trajnim do të zgjasë deri në muajin shkurt 2020. Kjo gjeneratë e kontrollorëve të trafikut ajror është përzgjedhur në bashkëpunim me Institutin Çek të Navigimit Ajror me ndihmën e testimit FEAST (ang. The First European Air Traffic Controller Selection Test) duke u mbështetur në legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë dhe në Rregulloren e ASHNA për Procedurat e Rekrutimit të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, të datës 31.12.2018.

Trajnimi do të përfshijë përgatitjen teorike të studentëve kontrollorë dhe pastaj edhe trajnimin me simulatorë të kullës së kontrollit dhe të radarit. Trajnimi do të zhvillohet në përputhje të plotë me Rregulloren e BE-së nr 340/2015 të transpozuar në legjislacionin vendor të Republikës së Kosovës përmes Rregullores së AACK-së nr. 19/2017.

Pas përfundimit me sukses të këtij trajnimi, studentët kontrollorë do të kthehen në Kosovë në mënyrë që të fillojnë fazën tjetër të trajnimit në vend të punës, të mbikqyrur nga instruktorët e licencuar të ASHNA-së. Me përfundimin me sukses të testimit nga ana e ekzaminerëve të ASHNA-së, studentët kontrollorë do të licencohen për të punuar në mënyrë të pavarur si kontrollorë të trafikut ajror.

Trajnimi i kësaj gjenerate të studentëve kontrollorë do t’i mundësojë ASHNA-së të përgatitet për proceset zhvillimore që e presin atë në të ardhmen.

Article Image Article Image Article Image Article Image