Ministri i MMPHI-së Liburn Aliu bashkë me Drejtorin e ASHNA-së Samir Bllacaku dhe Drejtorin e Operimeve në ANP Gokmen Aritay, takuan Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Ferenc Kajári

Data: 19 Nëntor 2021
Article Image

Sot, Ministri Liburn Aliu bashkë me Drejtorin e Operimeve të Limak-ut, Gökmen Aritay, dhe Drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Samir Bllacaku, priti në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major, Ferenc Kajári, Gjeneralin e Brigadës, Zëvendës Komandantin, Luca Piperni, dhe këshilltarin politik të KFOR-it, Gyula Somogyi.
Ministri Liburn Aliu ju kumtoi përfaqësuesve të KFOR-it, përkushtimin e tij për finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, nga 2500 metra në 3000 metra, dhe instalimin e paisjeve të rëndësishme përcjellëse në ngritjen e kapaciteteve teknike për ofrimin e shërbimeve ajrore, e po ashtu edhe hapat e mëtutjeshëm për marrjen në menaxhim të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.
Normalizimi i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës ka përfshirë hapjen e korridoreve të reja ajrore midis Republikës së Kosovës dhe të gjitha vendeve fqinje, veçanërisht me Shqipërinë e Malin e Zi, dhe hapja e korridoreve të reja ajrore do të kontribuojë në uljen e kostove të operimit për kompanitë ajrore, që rrjedhimisht, do të reflektohet në bileta më të lira për udhëtarët tanë.
Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë punuar ngushtë me NATO-n, KFOR-in, BE-në, dhe ICAO-n, për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të nismës së NATO-s: Mbledhja për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit (ang. Balkans Airspace Normalization Meeting – BANM).
Kostot më të ulta për kompanitë ajrore përfundimisht barten tek udhëtarët përmes biletave më të lira. Udhëtari mund të ketë mundësi më të mëdha për destinacione plotësuese qe mund të hapen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si rezultat i kostove më të ulta të krijuara përmes këtij projekti.
Ministri Aliu, i falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, dhe shprehu bindjen se kjo frymë e koordinimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej./MMPHI