Në ASHNA instalohet senzori i sofistikuar për detektimin e rrufeve në kohë reale

Data: 9 Shkurt 2022
Article Image

Vitin që lam pas, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është inauguruar projekti “Zgjatja e Pistës”, projekt ky shumë I rëndësishëm për ANP “Adem Jashari”, ASHNA-në, pasi që në kuadër të këtij projekti, ka edhe shumë nënprojekte të cilat kanë të bëjnë me instalimin e sistemeve të avancuara të navigimit ajror.

Në kuadër të projektit “Zgjatja e pistës”, përkrahur dhe financuar nga MMPHI, gjenden edhe projektet meteorologjike: Sistemi i Parashikimit të motit; Sistemi Automatik i Vrojtimit të motit – AWOS i Ri; Sistemi Automatik i Vrojtimit të motit – AWOS i Azhurnuar dhe VOLMET/ATIS, projekte këto që tashmë janë në fazën e fundit të implementimit.

Sistemi Automatik i Vrojtimit të motit – AWOS i ri dhe AWOS i Azhurnuar si dhe VOLMET/ATIS vijnë nga kompania Amerikane – DTN dhe do të kenë rol të veçantë në ngritjen e kategorisë së ofrimit të shërbimeve.

Në mesin e shumë senzorëve, që të dy Sistemet e AWOS kanë edhe senzorin e detektimit të rrufeve Biral BTD-300.

Duke konsideruar faktin se në 20 vitet e fundit mesatarisht kemi numrin prej 33 ditëve me rrufe në baza vjetore, ky detektor do të rrisë sigurinë në ofrimin e shërbimeve aeronautike në kohë reale, me vetë faktin se në kushte të rënduara të motit me vranësira konvektive, zbrazjet re-re dhe re-tokë i detekton dhe njofton tek personeli përgjegjës në mënyrë vizuele, e pastaj informacioni plasohet edhe deri te fluturaket përmes Kontrollit të Trafikut Ajror.

Article Image